Lagështia

PM 2.5

Temperatura

Këshillë

Efektet e Ndotësve

Ndotësit

Veturat

Një nga burimet kryesore të ndotjes në Kosovë janë makinat, dhe kjo theksohet edhe më shumë duke marrë parasysh qe shumica e makinave janë të vjetërsuara, kanë defekte teknike apo/dhe përdorin derivate jo-cilësore. Ndotësit kryesor të ajrit të liruar përmes emetimeve nga makinat me benzinë, naftë apo derivate-alternative janë monoksidi i karbonit, oksidet e azotit, hidrokarburet e pa djegura dhe grimcat e njoma. Pikërisht këto emetime rregullohen përmes standardeve Evropiane, për ta zvogëluar pasojën e ndotjes së ajrit në natyrë dhe te njeriu. Veturat moderne, nëse mirëmbahen, prodhojnë vetëm sasi të vogla të ndotësve të ajrit, mirëpo edhe në këtë rast nëse numri i makinave që lirojnë sasi të tilla është i madh, atëherë kjo e ndot mjaftueshëm ajrin. Monoksidi i karbonit, oksidet e azotit dhe hidrokarburet e pa-djegura janë gazra të padukshme, përderisa grimcat e njoma zakonisht mund të shihen si tym gjatë djegieve që kryejnë makinat me naftë. Makinat me benzinë mund të prodhojnë edhe grimca të dukshme kur ndizen gjatë stinës së dimrit, më tutje këto grimca mund të prodhohen edhe nga pajisjet për frenim apo mirëmbajtje të vajit. Emetimet e këtyre ndotësve varen nga lloji i teknologjisë, jetëgjatësia e teknologjisë dhe mirëmbajtja e saj. Për dallim nga emetimet e CO2, emetimet e ndotësve të tjerë të ajrit varen më pak nga konsumi i derivateve e më shumë nga faktorë si: stili i vozitjes së makinës, kushtet e vozitjes dhe temperatura. Sidoqoftë, mirëmbajtja e standardeve të BE-së për emetime siguron uljen e dukshme të ndotjes së ajrit të shkaktuar nga makinat. Burimi

Djegia e mbeturinave

Djegia e mbeturinave zakonisht përfshin letrën, kartonat, mbetjet e ushqimeve dhe plastikën – e këto materiale zakonisht do të duhej të ricikloheshin. Djegia zakonisht bëhet në kontejner, kazan, shporet apo në hapësirë jashtë. Emetimet nga këto djegie lirohen drejtpërdrejt në atmosferë pa u trajtuar apo filtruar. Njerëzit i djegin mbeturinat për arsye të ndryshme si për t’iu shmangur transportit të mbeturinave, për t’i shmangur taksat për mbeturina dhe ndonjëherë për ngrohje, edhe pse në Prishtinë janë funksionale kompanitë për pastrimin e mbeturinave. Djegia e mbeturinave është shumë e dëmshme dhe mund ta ngrisë rrezikun e sëmundjeve të zemrës e sëmundjeve të frymëmarrjes, dhe mund të shkaktojë shenja në lëkurë, vjellje dhe kokëdhembje – e si e tillë është e ndëshkueshme edhe me ligj. Djegia e mbeturinave krijon sasi të mëdha të dioksinave, të cilat janë kimikate helmuese që mbesin në të korrura, sisteme të ujit, dhe që shpesh përfundojnë në ushqimin tonë, dhe ndikojnë negativisht në shëndet. Dioksinat prodhohen gjatë djegies duke kombinuar toksina të ndryshme, dhe kur prodhohen në hapësirë të kufizuar (p.sh djegie të kontejnerëve) ato bartin edhe ndotës të tjerë dhe sasi të madhe të tymit. Zbatimi i ligjeve që rregullojnë djegien e mbeturinave dhe inspeksionet e rregullta mund ta zvogëlojnë dukshëm këtë dukuri në Kosovë. Burimi

Termocentralet

Industria e thëngjillit është një nga ndotësit më të mëdhenj të ajrit në Kosovë. Këto emetime janë kërcënim i vazhdueshëm i shëndetit dhe mjedisit, dhe poashtu i ndihmojnë ngrohjes globale. Këto kërcënime përfshijnë smogun, dhe grimcat e njoma që na mbesin në mushkëri. Shmangia e qymyrit dhe shqyrtimi i alternativave të energjisë së ripërtëritshme do ta përmirësonte dukshëm shëndetin dhe planetin tonë. Djegia e qymyrit është burim kryesor i dioksidit të karbonit dhe poashtu emeton shumë ndotës të tjerë si: dioksidin e sulfurit (SO2), oksidet e azotit (NOx), grimcat PM, dhe mbetje të metaleve si merkuri (Hg). Pas të depërtojnë këto elemente në ajër ato shumë lehtë shpërndahen në hapësira të mëdha duke dëmtuar zona të gjera dhe ndikuar në numër të madh të popullatës. Nga ndotësit e liruar prej termocentraleve, oksidet e azotit (Nox) ndërlidhen me komponente organike dhe formojnë smogun i cili te njeriu dëmton mushkëritë dhe e rrit rrezikun ndaj astmës, dhe poashtu i dëmton bimët duke i bërë ato më të ndjeshme ndaj sëmundjeve dhe motit ekstrem. Termocentralet janë burimi më i madh i emetimeve të merkurit i cili ka efekte negative në sistemin nervor dhe në tru. Më tutje, grimcat PM 2.5 kanë efekte të shumta të dëmshme në shëndet si rritja e sulmeve të astmës, dëmtimi i qelizave të mushkërive, sulmi në zemër etj. Zgjidhja afatgjate për Kosovën do të ishte analizimi i kapaciteteve për energji të ripërtëritshme apo forma alternative të energjisë të cilat dukshëm do t’i zvogëlonin pasojat nga ndotja e termocentraleve. Kurse në periudhën afatmesme, duhet të theksohet sa më shumë shfrytëzimi efecient i energjisë. Burimi

Sistemet e ngrohjes me thëngjill

Thëngjillit zakonisht i nevojitet më shumë kohë që të ndezët dhe digjet , dhe ai poashtu ka përmbajtje më të lartë të sulfurit dhe azotit në krahasim me biomasat e tjera. Kjo nënkupton qe djegiet e thëngjillit për ngrohje janë burim i dioksidit të sulfurit (SO2) dhe oksideve të azotit (Nox), si dhe të toksinave të tjera të absorbuara në formë të grimcave PM. Duke u bazuar në dëshmitë e OBSH-së, është vlerësuar që djegia e qymyrit për ngrohje mund të jetë kancerogjene për njerëzit, dhe direktivat e OBSH-së për cilësinë e ajrit të brendshëm sugjerojnë të mos përdoret thëngjilli i vrazhdë apo ai i papërpunuar. Sistemet e ngrohjes që përdorin derivate të ngurta të bazuara në biomasë krijojnë ndotje të ajrit të jashtme e cila rrezikon dukshëm shëndetin publik (si në shtimin e rrezikshmërisë së përgjithshme ashtu edhe në zvogëlimin e viteve të përgjithshme të jetës). Grimcat e liruara nga thëngjilli shkaktojnë dëme në shëndetin e njeriut përmes helmimit të drejtpërdrejtë qelizor, shmangies së rigjenerimit të qelizave të dëmtuara, dëmtimit të mushkërive dhe helmimit-gjenetik (duke e rritur rrezikun ndaj kancerit të mushkërive). Në Kosovë thëngjilli është më i përdoruri për sistemet familjare të ngrohjes, dhe si i tillë rrezikon mirëqenien e të gjithë qytetarëve, sidomos duke marrë parasysh numrin e shtëpive dhe banesave kolektive që e përdorin këtë sistem. Zgjidhje afatgjate do të ishte ofrimi i alternativave të tjera të ngrohjes, zgjerimi i sistemeve të kogjenerimit, dhe reduktimi i pikave fokale të djegies me thëngjill. Burimi

Efektet e ndotjes

Ndikimi në sistemin e imunitetit

Studimet e efekteve të ndotjes së ajrit në shëndetin e njeriut kanë zbuluar që duke u bazuar se ndaj cilëve ndotës të ajrit ekspozohet organizmi, pasojë mund të jetë dobësimi i sistemit të imunitetit. Më tutje në nivel të tërësishëm, ndotja e ajrit mund të shkaktojë lodhje të parakohshme, dhe në mënyrë ndërvepruese ta zvogëlojë efektivitetin dhe potencialin fizik edhe në persona të shëndetshëm. Kështu, efektet e dioksidit të sulfurit (SO2) mund t’i ngrisin shanset për zhvillimin e bronhitisit, ftohjeve të tejzgjatura dhe dobësimit të sistemit të imunitetit. Efekte të tjera kronike mund të jenë: humbja e funksioneve të sistemit të imunitetit, plakja e shpejtuar dhe zvogëlimi i mbrojtjes nga infeksionet e tjera. Burimi

Ndikimi në mushkëri

Efekti që ndotja e ajrit ka në mushkëri varet nga lloji i kombinimeve të ndotësve në ajër, nivelin e koncentrimit të ndotësve dhe sasinë e depërtimit të tyre në mushkëri. P.sh nëse jeni të ekspozuar ndaj nivele të larta të ndotjes në rrugë të ngarkuar apo gjatë periudhave të larta të ndotjes, ju do t’i ndjeni pasojat menjëherë. Këto pasoja mund të jenë: irritimi i kanaleve të frymëmarrjes, vështirësia në frymëmarrje dhe kollitja. Personat që vuajnë nga astma do të kenë nevojë ta përdorin më shpesh se zakonisht inhaluesin kur niveli i ndotjes së ajrit është i lartë. Kur ne marrim ajër të pa-pastër, ne sjellim ndotës thellë në mushkëritë tona, prandaj nuk është befasi që ato shkaktojnë dëme të mëdha. Ekspozimi ndaj ndotjes së ajrit mund të shkakton dëme seriozen në traktin e frymëmarrjes, mund të shkaktojë sëmundje si astma, mund të keqësojë gjendje të mëparshme të këqija të sistemit të frymëmarrjes, dhe poashtu mund ta stimulojë zhvillimin e sëmundjeve kronike si kancerin e mushkërive, sëmundjes obstruktive polmunare kronike dhe emfizemën. Poashtu, ekspozimi i gjatë në ndotës të ajrit ndërlidhet me zhvillimin e astmës. Ndotësit e ajrit e dëmtojnë zhvillimin e mushkërive, duke krijuar faktorë të rrezikut për të zhvilluar sëmundje të mushkërive më vonë në jetë. Burimi

Ndikimi në fyt dhe hundë

Efekti i grimcave PM në trupin e njeriut varet nga disa karakteristika fizike (forma e frymëmarrjes, shpeshtësia, dhe kapaciteti i një personit), por madhësia e tyre lidhet drejtpërdrejtë me probleme të shëndetit. Sa më të vogla që janë grimcat PM, aq më shumë do të depërtojnë përmes traktit të frymëmarrjes. Për grimcat që kalojnë madhësinë 10 μm, hunda shërben si filtër efektiv për ndalimin e tyre. Pasi që këto grimca qarkullojnë relativisht shpejtë, ato shpesh mblidhen në trake (fytin e epërm). Nëse i absorbojmë në vazhdimësi këto grimca, ato do të mblidhen edhe në hundë edhe në fyt. Trupi ynë pastaj reagon për t’i eliminuar ato duke nxitur teshtitjen dhe kollitjen. Në këtë mënyrë edhe pse hunda dhe fyti shërbejnë si filtra natyral të grimcave me diametër më të madh, ato gjatë procesit shpesh irritohen dhe mund të dëmtohen kanalet e tyre. Burimi

Ndikimi në zemer

Hulumtimet tregojnë që ekspozimi i njeriut ndaj nivele të larta të ndotjes së ajrit mund të shkaktojë pasoja në zemër apo t’i keqësojë ato. Edhe ekspozimi afatshkurtër edhe ai afatgjatë lidhen me një rrezik të ngritur të sulmit në zemër. Për disa persona që kanë pasur sulm në zemër, ekspozimi afatshkurtër i ndotjes së ajrit mund t’ia keqësojë gjendjen dhe të sjell rrezikun e pranimit të ri në spital. Studimet e tjera tregojnë lidhje në mes keqësimit të simptomave te personat që vuajnë nga angjina. Më tutje, ekzistojnë mënyra të shumta se si ndotja e ajrit ndikon në sëmundjet kardiovaskulare. Nëse gjatë frymëmarrjes absorbohen ndotës të dëmshëm, mund të krijohen pasojat e radhës:

- Pezmatimi, që shkakton ngushtimin e arterieve, duke e rritur rrezikun e sëmundjeve të zemrës, angjinës dhe sulmit në zemër.

- Koagulimi i gjakut (që mund të shkaktojë sulm të zemrës).

- Ndryshimi i funksioneve të sistemit nervor, që mund të shkaktojë ritme abnormale të zemrës.

- Rritja e shtypjes së gjakut, e cila mund t’i dëmtojë arteriet dhe ta sforcojë zemrën. Burimi

Trendet e ndotjes 2016/17

Paraqitja Grafike

Vizualizimi i vlerës PM përgjatë periudhës Vjeshtë 2016 - Verë 2017

Paraqitja e vlerës PM për njësi të kohës, duke filluar nga Vjeshta 2016 deri tek Vera 2017

Vizualizimi i vlerës PM përgjatë stinëve të vitit

Në këtë vizualizim, është lehtësuar vërejtja e nivelit të ndotjes së ajrit bazuar në stinët e vitit.

Vizualizimi 'heatmap' i vlerës PM në baza ditore

Vizualizimi i vlerës PM në baza ditore, e lehtëson identifikimin e paternave të ndotjes së ajrit.

Dallimi i ndotjes se ajrit gjatë ditëve të javës përgjatë stinëve të vitit.

Ky vizualizim, krahason vlerën PM për secilën ditë të javës, gjatë stinëve të vitit.

Vlerat e PM 2.5

Ngjyra PM 2.5 AQI Niveli i ndotjes Ndikimi në shëndet Paralajmërim Ikona
0 - 12 0 - 50 Mirë Kualiteti i ajrit është i kënaqshëm dhe ndotja e ajrit nuk paraqet aspak rrezik. Asnjë
12 - 35.5 51 - 100 Mesatarë Kualiteti i ajrit është i pranueshëm; sidoqoftë, disa ndotës të kufizuar mund të paraqesin probleme shëndetësore mesatare për një numër të vogël të personave që janë jashtëzakonisht të ndjeshëm ndaj ndotjes së ajrit. Fëmijët dhe të rriturit aktiv, dhe personat që vuajnë nga sëmundjet e frymëmarrje si astma, mund ta kufizojnë qëndrimin e gjatë jashtë duke u bazuar në ndjeshmërinë e organizmit të tyre.
35.5 - 55.5 101 - 150 Pashëndetshëm për grupe të ndjeshme Personat që i takojnë grupeve të ndjeshme mund të përjetojnë efekte negative shëndetësore. Popullata e përgjithshme kanë shanse shumë të vogla të ndikohen nga kjo. Fëmijët dhe të rriturit aktiv, dhe personat që vuajnë nga sëmundjet e frymëmarrjes si astma, duhet ta kufizojnë qëndrimin e gjatë jashtë.
55.5 - 150.5 151 - 200 Pashëndetshëm Çdokush do të fillojë të përjetojë efekte negative shëndetësore; personat e grupeve të ndjeshme mund të përjetojnë efekte serioze në shëndet. Fëmijët dhe të rriturit aktiv, dhe personat që vuajnë nga sëmundjet e frymëmarrjes si astma, duhet ta kufizojnë qëndrimin e gjatë jashtë; të gjithë të tjerat, veçanërisht fëmijët duhet ta kufizojnë qëndrimin e gjatë jashtë.
150.5 - 250.5 201 - 300 Shumë pashëndetshëm Rrezik për shëndet: çdokush mund të përjetojë efekte më serioze në shëndet. Fëmijët dhe të rriturit aktiv, dhe personat që vuajnë nga sëmundjet e frymëmarrjes si astma, duhet ta shmangin qëndrimin e gjatë jashtë; të gjithë të tjerat, veçanërisht fëmijët duhet ta kufizojnë dukshëm qëndrimin jashtë.
250.5 + 300+ Helmues Paralajmërime për rrezik në shëndet, për rrethana emergjente. E tërë popullata është dukshëm e ndikuar nga ndotja e ajrit. Çdokush duhet ta shmang daljen jashtë
PM 2.5 Niveli i ndotjes Ikona
0 - 12 Mirë
12 - 35.5 Mesatarë
35.5 - 55.5 Pashëndetshëm për grupe të ndjeshme
55.5 - 150.5 Pashëndetshëm
150.5 - 250.5 Shumë pashëndetshëm
250.5 + Helmues

Paisja

Airbeam e përdor metodën e shpërndarjes së dritës për t’i matur grimcat e njoma apo PM 2.5. Ajri tërhiqet përmes një kanali matës, ku drita e liruar nga një poq LED shpërndan grimcat në tubin e ajrit. Kjo shpërndarje e dritës regjistrohet nga një matës dhe konvertohet në një matje të numrit të grimcave në ajër.

Kjo pajisje përdoret nga mijëra ndryshues aktiv që e përdorin platformën AirCasting, duke përfshirë këtu: organizatat e bazuara në komunitete, shkollat, institucionet e hulumtimit, dhe qytetarëve shkencëtarë të interesuar në matjen e shëndetit dhe mjedisit, në inxhinierinë elektrike dhe mekanike, në dizajn dhe në kodimin open-source. Pikërisht përmes lidhjes së shkollave dhe organizatave me këtë teknologji nxitet zgjidhja e problemeve reale në botë në lidhje me ndotjen e ajrit.

Burimi

Top